75 Mall Live Search
12:53 / E Shtunë, 21 Qershor 2025 / L A

Osimhen i hapur për t’ju bashkuar Juventusit

Sipas La Gazzetta dello Sport, Victor Osimhen mbetet objektivi kryesor i Juventusit për repartin e sulmit, por “Zonja e Vjetër” fillimisht duhet të shesë Dusan Vlahovic dhe më pas të bindë Napolin për të shitur yllin nigerian, mundësisht para mesit të korrikut.

Sulmuesi në pronësi të Napolit vazhdon të jetë prioritet për Juventusin në merkato, por bardhezinjtë duhet të kapërcejnë disa pengesa për të realizuar marrëveshjen. Osimhen, përfaqësuesi i Nigerisë, ka refuzuar tashmë një ofertë prej 30 milionë eurosh në vit nga Al-Hilal, dhe sipas Gazzetta-s, ai është i hapur për të vazhduar karrierën në Serie A në sezonin 2025-26.

Osimhen ka një klauzolë largimi prej 75 milionë eurosh në kontratën me Napolin, por ajo nuk është e vlefshme për klubet italiane. Kjo do të thotë që Juventusi duhet të negociojë drejtpërdrejt me presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentiis.

Një tjetër pengesë është Dusan Vlahovic, i cili nuk pranon të bashkohet me Fenerbahçen dhe po pret oferta nga klubet kryesore të Europës, ndërkohë që i ka mbetur vetëm një vit kontratë me Juventusin.

Sipas Gazzetta-s, ndryshe nga raportimet e muajit prill, Osimhen ende është i hapur për t’u bashkuar me Juventusin, por nuk do të presë gjatë për të zgjedhur klubin e ri. Pritet që ai të vendosë për të ardhmen e tij deri në mesin e korrikut.

E përditshmja italiane thekson gjithashtu se Galatasaray shpreson ende për një transferim të përhershëm të Osimhen, ndërsa interesimi nga Al-Hilal mbetet i gjallë, ashtu si edhe ai nga PSG dhe disa klube të Premier League.