Osmani: UÇK-ja ideali më i madh i shqiptarëve, nuk do ta pranojmë kurrë narrativën që barazon krimin me rezistencën për liri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë seancës solemne në kuvend për 18-vjetorin e Pavarësisë, ka deklaruar se Kosova u krijua për të mbrojtur të vërtetën dhe për të mos lejuar që historia të rishkruhet në dëm të atyre që sakrifikuan gjithçka për liri.
“Në themelin e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik, Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë sonë. Me vizion ai udhëhoqi popullin. Historia u brumos në periudhën e luftës për liri. Ajo mban emrin e komandantit Adem Jashari. UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Kjo luftë ishte e drejtë dhe gjithnjë e pastër. Çdo përpjekje për ta njollosur atë është e padrejtë, historikisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë dhe me popullin tonë u ngritën për liri e dinjitet”, ka thënë ajo.
“Kosova u bë shtet për ta mbrojtur të vërtetën dhe për të mos lejuar kurrë që historia të rishkruhet në dëm të atyre që sakrifikuan gjithçka e populli i Kosovës sakrifikoi gjithçka deri edhe fëmijët në djep në mënyrë që ne sot ta gëzojmë lirinë. Prandaj nuk do ta pranojmë asnjëherë në Kosovë e kudo në botë, ndonjë narrativë që barazon agresorin më viktimën, pushtuesin me të pushtuarin e krimin me rezistencën për liri”, ka deklaruar tutje Osmani.
Ajo gjithashtu ka përkujtuar rrugëtimin e gjatë dhe të mundimshëm të Kosovës drejt lirisë dhe ka falënderuar aleatët e vendit, të cilët ajo ka thënë se u ndërtuan me mençurinë dhe vizionin e presidentit historik Ibrahim Rugova.
Ajo ka theksuar se këto aleanca do të mbahen dhe mbruhen me çdo kusht.
“Rruga e Kosovës drejt lirisë ka qenë një rrugëtim i gjatë, i mundimshëm dhe i mbushur me sfida por edhe me aleanca të fuqishme e miqësi të sinqerta. Në këtë përvjetor me mirënjohje të thellë dua t’i falënderojë të gjithë aleatët tanë, aleatë të cilët i ndërtuam me mençurinë dhe vizionin e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, dhe burra e gra që qëndruan pranë tij në ndërtimin e këtyre aleancave të cilat do t’i mbrojmë me çdo kusht”, ka deklaruar Osmani në kuvend.

