14:11 / E Shtunë, 03 Dhjetor 2022 / shkelqim osmanaj

Osmani: 100 mijë euro shtesë për organizatat e personave me aftësi të veçanta

Presidentja Vjosa Osmani, sot, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta, priti në takim Komitetin Paraolimpik të Kosovës dhe organizatën e Studentëve Handicap.

Në të dy takimet, siç u bë e ditur në komunikatën për media, Osmani shprehu mbështetje për këtë kategori dhe potencoi se gjithëpërshirja e tyre, punësimi dhe jeta e dinjitetshme janë objektiv i përditshëm.

“Sipas Presidentes Osmani, kujdesi institucional ndaj kësaj kategorie nuk duhet të fokusohet në një ditë të vetme, por gjatë gjithë vitit, prandaj këtë vit Presidentja Osmani do të ndaj 100 mijë euro shtesë subvencione vetëm për organizatat e personave me aftësi të veçanta. Presidentja Osmani, gjithashtu shprehu gatishmërinë t`i mbështes sportistët paraolimpik, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Paralimpike në Paris më 2024.”, u bë e ditur në komunikatë.

Ndërkaq, me Studentët Handicap, Osmani theksoi se të gjitha organizatat e personave me aftësi të kufizuara do t`i kenë dyert e hapura gjatë tërë vitit për t`i mbështetur ata në mënyra të ndryshme.

Osmani potencoi se qasja në të drejtat dhe liritë themelore, për personat me nevoja të veçanta, duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar, 3 dhjetor, është vendosur me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit.