75 Mall Live Search
09:20 / E Mërkurë, 24 Mars 2021 / OSH

Osmani: 24 marsi 1999-rikujtim historik për vuajtjet, vrasjet, të pagjeturit, dhunimet e dëmet

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka thënë se sot është dita e shpresës, shkruan IndeksOnline.

Në 22-vjetorin kur NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, Osmani ka thënë se u jemi përherë mirënjohës pafundësisht të gjithë grave e burrave të forcave paqeruajtëse të NATO-s.

Ajo tha se kjo datë është rikujtim historik për vuajtjet, vrasjet, të pagjeturit, dhunimet e dëmet që shkaktoi regjimi serb.

Postimi:

Sot është Dita e Shpresës!

24 marsi 1999 shënoi kthesë të madhe për fatin tonë. Kjo ditë shënoi rikthimin e shpresës për të gjithë ne.  Në këtë ditë, 22 vjet më parë, në orën 20:00 bombat e NATO-s u drejtuan mbi caqet e ushtrisë dhe policisë serbe duke shënuar kështu shpresën për liri.

Kur pushteti serb po synonte shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, vendet anëtare të BE-së dhe Aleanca e NATO-s vendosën të parandalonin një gjë të tillë, duke i dhënë fund regjimit gjenocidal të Serbisë.

Sot e përherë, u jemi mirënjohës pafundësisht të gjithë grave e burrave të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Sot e përherë, u jemi mirënjohës të gjithëve që u rreshtuan në anën e drejtë të historisë. Pa kontributin tuaj, liria për ne do të ishte e pamundur.

Ne rilindëm, për ta ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi premisën e lirisë dhe një shtet të bazuar në premisën e barazisë qytetare!

Kemi bërë një rrugëtim të gjatë që nga ajo ditë. Përgjatë këtij rrugëtimi, mbrojtësit e lirisë sonë u shndërruan në mbështetësit më të fortë të procesit të shtetndërtimit të Republikës së re. Vendi ynë , Kosova jonë e dashur, po fuqizohet me mbështetjen e miqve tanë. Ka shumë punë për t’u bërë, por ne jemi të vendosur të punojmë fort e ta mbrojmë lirinë tonë me çdo kusht.

Kjo datë është rikujtim historik për vuajtjet, vrasjet, të pagjeturit, dhunimet e dëmet që shkaktoi regjimi serb. Është rikujtim për breza të tërë që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot e për luftën e drejtë çlirimtare të popullit tonë. Në këtë datë, vlera e lirisë dhe e demokracisë kanë marrë një dimension të ri për ne, por edhe për gjithë botën demokratike, e këto vlera mbeten përkushtim i yni i përhershëm. 

Të rikujtojmë për të mos harruar me shikimin e qartë nga e ardhmja! E ardhmja është me Republikën e Kosovës anëtare të aleancës sonë shpëtimtare-anëtare të NATO-s.