Osmani, Deda e Sejdiu shfrytëzojnë vizitën në Gjermani për të lobuar për Gjykatën Speciale
Tre deputetë të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, Ilir Deda dhe Korab Sejdiu, gjatë një vizite në Gjermani, javën e kaluar, janë fokusuar në një çështje të ndjeshme, siç është ajo për Gjykatën Speciale, e cila do t’i trajtojë krimet e luftës të pretenduara se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Burime të Indeksonline thonë se në takim me Matthias Luttenberg, Këshilltar për Evropën Qendrore dhe Juglindore i Kancelares Angela Merkel, ata kanë lobuar për Gjykatën Speciale, duke e përkrahur procesin e saj tashmë kur ka filluar intervistimi i dëshmitarëve dhe i të dyshuarve.
Ata, po ashtu, thonë burimet, me Luttenberg kanë diskutuar edhe lidhur me krijimin e mundësive për zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë brenda këtij viti.
Deputetët Vjosa Osmani (LDK), Ilir Deda (Alternativa) dhe Korab Sejdiu (AKR) kanë qëndruar në Berlin javën e kaluar, me ftesë të Aspen Germany, ku kanë zhvilluar takime me zyrtarë qeveritarë dhe deputetë të Bundestagut.
Osmani, më 8 maj, në profilin e saj në Facebook, kishte shkruar për këtë takim me Këshilltarin e Merkel, duke thënë se Kancelaria Gjermane ka konfirmuar se nuk ka ndryshim kufijsh dhe se Kosova është një dhe e pandashme, ndërsa kishte mbajtur të fshehtë dy temat tjera të diskutuara aty: përkrahjen për procesin e Gjykatës Speciale dhe mbajtën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.
Vjosa Osmani, siç dihet, në kohën kur kishte punuar si përkthyese në UNMIK, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, ishte e angazhuar në Departamentin e Drejtësisë në UNMIK, ku kishte ofruar ndihmë ligjore dhe administrative për gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë, si dhe personalisht kishte punuar dhe kishte marrë pjesë në hetime dhe gjykime, përfshirë ato për gjenocid dhe krimet e luftës në Kosovë. Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, i ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kishte hetuar rrëmbimet dhe vrasjet e serbëve pas luftës në Kosovë.
