Osmani dekoron me medalje bashkatdhetarët në SHBA, që kontribuan për liri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë medalje presidenciale për bashkatdhetarët tanë në SHBA, që kontribuan për vendin në ditë të vështira.
Në një fjalim emocionues, Osmani u shpreh se ndjehet e nderuar të jetë në mesin e aq shumë figurave që kanë nderuar dhe vazhdojnë të vlerësojnë e kontribuojnë për atdheun e tyre, shkruan IndeksOnline.
“Përgjatë viteve të 80-ta e 90-ta, kur populli shqiptar në Kosovë rrezikohej nga regjimi shtypës e gjenocidal i Millosheviqit, mërgata jonë këtu në Amerikë u bë zëri i besës dhe i shpresës. Jo vetëm për mbijetesën tonë, por edhe për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë tonë, për të cilën dhanë jetën breza të tërë. Pikërisht atëherë, shqiptarët në Amerikë mblidheshin, protestonin, lobonin e nuk lenin derë pa hapur për Kosovën Republikë. E një ndër vendet ku mblidheshin ishte pikërisht ky vend ku jemi mbledhur ne sot.
Prandaj i nderuar Bruno, faleminderit që edhe sot i keni hapur dyert për ne, ashtu siç i hapet dyert dikur dhe jo vetëm dyert, por edhe zemrat për shqiptarët kudo që janë, kur ky vend u bë strehë dhe zë i shpresës për mërgatën tonë” deklaroi Osmani përpara të pranishmëve të mbledhur në një prej lokaleve më ikonike ku mblidhen shqiptarët në Nju-Jork.
Osmani tha se disa njerëz nuk kërkojnë kurrë lavdi, por veprat e tyre i japin lavdi atdheut, duke mbrojtur dinjitetin dhe duke mbajtur të gjallë emrin e shtetit dhe shpresën për liri.
Medaljet presidenciale që u ndanë për dhjetëra bashkatdhetarë mes të tjerash, ishin ato të meritave, “Urdhri i Pavarësisë” dhe “Hasan Prishtina”.