Osmani dhe Bulliqi marrin pjesë në Takimet e Kulturës “Kadri Kadriu”

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe u.d. e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kanë marrë pjesë në Takimet tradicionale të Kulturës “Kadri Kadriu” që u mbajtën në Sallën e Tetarit “Avdush Hasani” në Podujevë.
Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport e Komunës së Podujevës edhe sivjet ka organizuar Takimet e Kulturës “Kadri Kadriu”.
Në orën e madhe letrare të takimeve të sivjetme tradicionale të kulturës, që u mbajt sot në Teatrin “Avdush Hasani”, krahas kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë edhe u.d. e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe mysafirë të tjerë.
Në hapje të orës letrare kryetari Bulliqi duke përshëndetur u.d. Presidenten Vjosa Osmani dhe mysafirët e tjerë, tha se Takimet e Kulturës janë njëra nga ngjarjet që e kanë afirmuar Llapin në fushën e kulturës dhe artit, tash e 30 vite.
Kryetari Bulliqi tha se fillimisht këto takime kulturore dhe letrare, shënoheshin me një orë letrare kushtuar njërit prej profesorëve të vyeshëm të gjuhës dhe letërsisë shqipe, Kadri Kadriut, i cili përveç punës pedagogjike, ka lënë trashëgimi letrare.
“Ky pedagog, njihej si njeri kryengritës, për idetë e tij atdhetare dhe emancipuese, të cilat ishin vazhdimësi e frymës së Rilindjes Kombëtare, vazhdimësi e zgjimit të vetëdijes kombëtare. Prej një ore letrare dedikuese për profesorin dhe poetin Kadriu, kjo ngjarje kulturore, bashkë me rritjen letrare dhe artistike, u zhvillua dhe mori fizionominë e një manifestimi letrar-artistik me emrin Kadri Kadriu”, tha kryetari Bulliqi.
Kryetari Bulliqi tha se këto takime, për afër një dekadë, bashkë me aktivitete të tjera, të organizuara kryesisht në formë vullnetare nga Drejtoria e Kulturës, mbajtën gjallë frymën dhe shpirtin kombëtar të komunës sonë.
“Nëpër skenën kulturore të takimeve “Kadri Kadriu”, për 30 vite kanë kaluar letrarë, piktorë, krijues te rinj, jo vetëm te Llapit, por edhe të qyteteve të tjera të Kosovës dhe nga të gjitha trojet shqiptare. Gjithashtu ka pasur krijues nga shtete si Zvicra dhe Gjermania, pjesëmarrës në konkurset letrare dhe janë shpërblyer me çmime të rëndësishme”.
Kryetari Bulliqi tha se të gjithë këta letrarë, kanë lënë këtu fjalën e bukur për të gjitha moshat dhe kanë marrë me vete miqësinë dhe kulturën e përhershme të Llapit.
“Unë sot dua vetëm t’ju falënderoj për angazhimin tuaj të madh, dhe të zotohem para juve se do t’ju qëndrojmë afër, si qeverisje komunale, për t’ju mbështetur në projektet tuaja dhe të krijojmë kushtet e nevojshme për artistët dhe artdashësit”, tha kryetari Bulliqi.
“Sot e kujtojmë dhe nderojmë punën dhe veprën e intelektualit dhe artistit Afrim Maliqi, ashtu siç ishte edhe ai, me veprat tuaja poetike”, tha kryetari Bulliqi.

Ndërsa, u.d. e Presidentes Vjosa Osmani duke përshëndetur pjesëmarrësit në orën e madhe letrare tha se ndjehet e kënaqur që sot po merr pjesë në këtë manifestim ku ka mundësi të përjetojë vlerat artistike të krijuesve.
“Ky manifestim e ka mbajtur gjallë frymën krijuese dhe ka ndikuar në jetën kulturore të vendit. Për ne, ruajtja e traditës dhe kultivimi i vlerave letrare, aq më tepër që ndërlidhen me emra të shquar si Kadri Kadriu e Afrim Maliqi, është thelbësore për kultivimin e identitetit tonë kulturor”, tha u.d. Presidentja Osmani.
Në kuadër të takimeve të kulturës “Kadri Kadriu” u ndanë tri çmimet kryesore për poezitë më të mira.