75 Mall Live Search
21:14 / E Enjte, 14 Maj 2026 / H F

“Arsyet kanë qenë banale”, Osmani thotë se VV kërkoi një president që nuk merret me politikën e jashtme

Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka reaguar për mungesën e përkrahjes nga Vetëvendosje dhe kreu i saj, Albin Kurti, duke e cilësuar mënyrën e zhvillimeve si “lojë pas shpine”.

Osmani ka deklaruar se më herët kanë ekzistuar diskutime për një bashkëpunim dhe rrugëtim të përbashkët politik, por vendimi i VV-së për të mbështetur kandidatë të tjerë ka bërë që ajo të mos jetë pjesë e këtij procesi.

Ajo ka theksuar se në të kaluarën është folur edhe për një bashkëpunim afatgjatë:

“Absolutisht, në dhjetor dhe para dhjetorit ka pasur diskutime rreth një rrugëtimi të përbashkët edhe për 10-15 vjetët e ardhshëm. Kur unë kam thënë para qytetarëve të Republikës së Kosovës se synoj edhe një mandat për të vazhduar punët e mira si presidente që kanë qenë në interes të Kosovës, ai nuk ka qenë thjesht një supozim por ka qenë i bazuar në një përkrahje të premtuar, po natyrisht që për mua është krejt në rregull, meqenëse kanë vendosur ndryshe, kanë vendosur që ta ndajnë rrugëtimin, kanë vendosur që të përkrahin kandidatë të tjerë”, tha Osmani.

Sipas saj, problematike ka qenë mënyra e komunikimit dhe veprimet e Vetëvendosjes në raport me deputetët e opozitës për sigurimin e kuorumit, në një kohë kur ajo kërkonte mbështetje për kandidaturën e saj.

“Pra nuk ka pasur fare nevojë që të luhet një lojë e tillë pas shpine. [Ka qenë lojë pas shpine] absolutisht. Më korrekte do të ishte të thuhej që nuk e ke përkrahjen tonë, faleminderit për bashkëpunimin e deritanishëm”, u shpreh ajo në “Rubikon” në Klan Kosova.

Osmani shtoi se arsyet e dhëna në takimin me VV-në për mosmbështetjen e saj i janë dukur të pabaza dhe të paqëndrueshme, duke përmendur si shembull kërkesën për një president që nuk merret me politikë të jashtme, gjë që sipas saj është pjesë e detyrës kushtetuese të presidentit.