Osmani: E neveritshme deklarata e Daçiqit se “Clinton dhe Albright gënjyen për masakrat në Kosovë”

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur kryeparlamentarit serb Ivica Daçiq, i cili deklaroi se ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton dhe ish-sekretarja Madeleine
Albright, kanë gënjyer se kur kanë thënë se serbët kanë kryer masakra dhe vrasje në Kosovë.
Osmani përmes disa postimeve në Twitter shkroi se deklarata e kryeparlamentarit serb janë të neveritshme.
“Ne prapë po shohim udhëheqës serbë që teptisin gënjeshtra dhe mohojnë krimet e luftës. Të thuash se Presidenti Clinton dhe Sekretarja Albright gënjyen botën kur treguan historinë e gjenocidit të kryer nga regjimi serb në ‘99 është e patolerueshme, e neveritshme dhe çnjerëzore”.
“Krimet e kryera nuk mund dhe nuk duhet të fshihen, pasi fshehja e krimit është një krim i ri në vetvete, aq i tmerrshëm sa i pari. Tregimi i historisë së gjenocidit serb në Kosovë është i domosdoshëm, sepse zgjedhja për të heshtur është një mohim i ekzistencës së tij”.
Osmani tha se kur presidenti Clinton dhe sekretarja Albright kur folën për Kosovën ata zgjodhën të vërtetën para gënjeshtrës, njerëzoren para jonjerëzores dhe se zgjodhën mbrojtjen e jetëve, dinjitetin dhe të drejtën për të ekzistuar të njerëzve të Kosovës.
“Për këtë ne do të mbesim gjithmonë falënderues”.