17:11 / E Diele, 27 Shtator 2020 / indeksADMonline

Osmani: është e qartë se ne nuk kemi lumenjë për të falur

 Osmani: është e qartë se ne nuk kemi lumenjë për të falur

Në Ditën Botërore të Lumenjve, në Prizren u diskutua mbi mbrojtjen e lumenjve nga dëmi që po u shkaktohet nga ndërtimi i hidrocentraleve në Kosovë, si dhe për problematikat e lumit Lumbardhi të Prizrenit, të organizuar nga organizatat jo qeveritare X40 dhe KCSF.

Nё diskutime morën pjesë, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, deputetë të shumtë, përfaqësues të institucioneve publike, aktivistëve tё shoqërisë civile, e nismave qytetare, si dhe shumë qytetarë.

Fillimisht u diskutua për dëmtimin e lumenjve nga hidrocentralet në Kosovë ndërsa më pas edhe për problematikat e lumit Lumbardhi të Prizrenit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani theksoi se ne besojmë plotësisht në mbrojtjen e lumenjve, por edhe florës dhe faunës në to, e cila është edhe mbrojtur  dhe e traditës së qytetarëve që jetojnë rreth tyre, është mbrojtje e jetës dhe shëndetit tonë.

“Pa dyshim jemi për një Kosovë të zhvilluar dhe energjia e gjelbërit është e ardhmja, por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se çdo investim mund të bëhet në harmoni me natyrën dhe duhet të bëhet domosdo në përputhje dhe duke respektuar standardet, ligjet dhe praktikat më të mira për mbrojtjen e mjedisit”, theksoi Osmani

Në fund të fjalës së saj Osmani tha së tashmë është e konfirmuar që Kosova ka rezerva të pamjaftueshme të ujit dhe një gjë është e qartë se ne nuk kemi lumenjë për të falur, prandaj e kemi për obligim që të angazhohemi për kujdes të shtuar për mbrojtjen e burimeve tona ujore.

Drejtori Ekzekutiv i KCSF-së, z. Taulant Hoxha tha: “Kino Lumbardhi është simbol i rezistencës qytetare të Prizrenit dhe mbrojtjes së interesit publik, e sot këtu janë mbledhur shumë aktivistë që janë duke rezistuar që burimet e pakta ujore të Kosovës të mos shkatërrohen për përfitime të një grupi të vogël, e në kurriz të të gjithë qytetarëve të vendit.”.

Ndërsa Dren Marseli, organizator i Bunarfest, tregoi që ka vite që garuesit e këtij festivali tashmë detyrohen që një pjesë të lëshimit përgjatë Lumbardhit duhet ta bëjnë jashtë lumit, për shkak të dëmtimit të shtratit të këtij lumi.

Shpresa Loshaj, aktiviste për mbrojtjen e lumenjve nga organizata “Pishtarët” nga Deçani theksoi se: “Për ne me rëndësi është që qytetarët e asaj ane ta kuptojnë që diskutimi i problematikës së ndërtimit të hidrocentralit të jetë gjë normale, të ngritet vetëdija që diçka e parregullt dhe e paligjshme ka ndodhur dhe të ngritet guximi për t’i diskutuar këto probleme në anën e Junikut dhe Deçanit”.

Kjo ngjarje u organizua në kuadër të edicionit të 16-të të festivalit “Bunarfest” dhe Programit EJA Kosovë të KCSF-sё. Përmes këtij programi, KCSF do tё mbështesë nismat e shoqërisë civile përmes granteve dhe trajnimeve me synimin e përgjithshëm për t’i kontribuar një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse në Kosovë.