Osmani: Familja është e shenjtë dhe nuk ka dallim politik që arsyeton nxitjen e urrejtjes e të kërcënimeve të tilla
Djali i Liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafes është kërcenuar sot nga një person, i cili ka thënë se do ta kall atë bashkë me familjen e tij.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka thënë se kërcënimi i familjeve është sulm ndaj vlerave më të rëndësishme që kemi si shoqëri.
Osmani përmes një postimi në facebook ka shkruar familja është e shenjtë dhe nuk ka dallim politik që arsyeton nxitjen e urrejtjes e të kërcënimeve të tilla.
Ja postimi i saj:
Për fat të keq, tashmë gjuha e urrejtjes është kthyer gjithandej në përditshmëri, por kërcënimi i familjeve është sulm ndaj vlerave më të rëndësishme që kemi si shoqëri. Familja është e shenjtë dhe nuk ka dallim politik që arsyeton nxitjen e urrejtjes e të kërcënimeve të tilla.
Është koha që të gjithë të bëjmë thirrje e të punojmë për gjuhë përafruese e të mirëkuptimit ndaj njëri-tjetrit. Pavarësisht dallimeve politike, ne të gjithë kemi vetëm një atdhe, Republikën e Kosovës, të cilën duhet ta ruajmë e zhvillojmë duke respektuar njëri-tjetrin. Prandaj i ftoj edhe përfaqësuesit e tjerë politik që jo vetëm të dënojnë gjuhën kërcënuese por edhe t’i ftojnë aktivistët e anëtarët e tyre për gjakftohtësi, tolerancë e mirëkuptim.