Osmani flet për zgjedhjet me delegacionin e Misionit Vëzhgues të BE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim delegacionin e Misionit Vëzhgues të zgjedhjeve të BE-së, raporton IndeksOnline.
Me këtë rast, Osmani ka vlerësuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, duke konfirmuar kështu standardin e lartë të dnërtuar nga shteti, në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
“Tutje, ajo nënvizoi se sipas informatave që vijnë nga institucionet tona, gara në komunat e banuara me serbë ishte e ndikuar nga imponimet e strukturave ilegale të Serbisë, të cilat e kanë cenuar garën në mes të subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Presidentes.
Duke i falënderuar për prezencën e tyre dhe gatishmërinë për t’i qëndruar Kosovës pranë në çdo hap të konsolidimit të demokracisë në vend, Presidentja gjithashtu shprehu mirënjohje për përgjigjen pozitive të pranuar nga Parlamenti Evropian, si dhe vlerësoi lartë prezencën e këtij delegacioni në vëzhgim të zgjedhjeve.
Në anën tjetër, delegacioni e vlerësoi procesin e zgjedhjeve si një proces demokratik, i karakterizuar me profesionalizëm dhe integritet të lartë të institucioneve por edhe të vet qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Në takim, Presidentja Osmani diskutoi edhe për punën e institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, procesin e liberalizimit të vizave, nevojën për fuqizimin e mëtejmë të grave dhe rinisë, si dhe tema të tjera”, thuhet gjithashtu në komunikatë.