Osmani: Gëzuar për jetën tonë të përbashkët, për familjet ku nëna është boshnjake e babai shqiptar

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në fillim të seancës plenare, ka uruar popullin boshnjak që jeton në Kosovës në Ditën Kombëtare të tyre, duke thënë se historia e Kosovës është e lidhur me popullin boshnjak dhe se kontributi i tyre është i madh në formimin e shtetit të Kosovës.
“Në këtë ditë të veçantë për bashkëqytetarët tanë boshnjakë për t’ua uruar Ditën e tyre, u them se populli i Kosovës është mirënjohës për kontributin e tyre për , atë që ata pasqyrojnë, diversiteti tonë kulturor. Ata janë pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës dhe nuk mund të harrojmë kontributin e tyre”, tha Osmani para deputetëve.
Ajo po ashtu, ndau një përvojë personale të saj, duke rrëfyer për gjyshen boshnjake në Mitrovicë dhe e cila kishte rrezikuar disa herë vetën gjatë luftës për t’u dhënë ushqim shqiptarëve.
Kryeparlamentarja Osmani u kërkoi boshnjakëve në Kosovë që të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah popullit shqiptar, përkrah shtetit të tyre dhe që së bashku ta ndërtojmë të ardhmen.
“Në këtë ditë të veçantë dua të shpreh mirënjohjen dhe ju lus të qëndroni përkrah nesh. Gëzuar për jetën tonë të përbashkët, gëzuar për familjet ku nëna është boshnjake e babai është shqiptar”, tha Osmani.