16:55 / E Mërkurë, 04 Shtator 2019 / indeksADMonline

Osmani heq dorë nga kandidatura për deputet: Po përballem me proces gjyqësor!

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë Facebook ka njoftuar opinionin se nuk do të jetë pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai ka shkruar se është duke u përballur padrejtësisht me proces gjyqësor, pa ndonjë bazë dhe fakt.

Ky është postimi i tij i plotë:

Gjatë ditëve të fundit, jam përballur me një presion medial krejtësisht të padrejtë.
Kundër meje ka filluar një proces gjyqësor, mbi një aktakuzë pa asnjë bazë të arsyeshme edhe pa asnjë fakt.
Ekspertiza gjyqësore e dëshmon të kundërtën e pretendimeve të prokurorit dhe e vë në pah pastërtinë time të plotë.
Të dashur qytetarë, si përfaqësues i juaji në gjashtë legjislatura, kam mbrojtur me nder interesin e përgjithshëm dhe kam bërë më të mirën e mundshme.
Duke e vlerësuar pafundësisht besimin që më keni dhënë dhe për të garantuar proces gjyqësor pa asnjë ndikim dhe pas asnjë dyshim, kam vendosur që, përkundër propozimit nga Dega e Lipjanit, të mos jem pjesë e listës së LDK-së, partisë sime të përjetshme.
Dëshiroj të falënderoj Degën time dhe Kryesinë e LDK-së, t’u dëshiroj suksese kolegëve të mi të kandidatë, si dhe jam i bindur se LDK-ja do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve.