Osmani i LDK-së: Filozofia jonë politike nuk na lejon të dalim në rrugë për të protestuar
Osmani i LDK-së: Filozofia jonë politike nuk na lejon të dalim në rrugë për të protestuarLëvizja Vetëvendosje para disa ditësh ka njoftuar se më 29 shtator do të organizojë protestën e radhës kundër presidentit Hashim Thaçi, me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”.
Ndonëse në protestat e kaluara të organizuara, Vetëvendosje gëzonte mbështetjen e disa partive tjera politike, këtë herë në rrugë do të dal e vetme, shkruan Indeksonline.
Meqë, AAK dhe Nisma me të cilat protestonin kundër disa proceseve të ndryshme tani janë në pozitë, Vetëvendosje mund të llogariste në mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila vazhdon të jetë në opozitë.
Por, siç duket të shtunën, janë vetëm simpatizantët dhe mbështetësit e Vetëvendosjes që do të protestojnë kundër të parit të shtetit.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani në një prononcim për Indeksonline ka thënë se kjo parti njëherë do të shfrytëzoj format tjera për të kundërshtuar zhvillimet e fundit.
“Derisa nuk i kemi shtjerr të gjitha mundësitë demokratike, për ne të gjitha format tjera janë të papranueshme për shkak të filozofive tona politike”, ka theksuar Osmani.
Ai ka shtuar se tani LDK ka një tjetër synim, e që nuk është dalja në rrugë.
“Ne do të mundohemi që të sigurojmë votën e mjaftueshme për të ngritur mocionin e rrëzimit të qeverisë në formën demokratike. Nuk është rruga zgjidhje derisa ekzistojnë format tjera demokratike”, ka thënë tutje Osmani.
Ndërkaq, këtë javë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka bërë të ditur se kjo parti është duke menduar që të organizoj vet protesta, për çka do të vendosin ditëve në vijim.
Kujtojmë se Vetëvendosje në thirrjen për protestë ka shkruar se më 29 shtator do të tregohet masivisht mospajtimi i qytetarëve me pazaret që sipas saj po bëhen me tokën e Kosovës.
“Presidenti Thaçi pa autorizim, pa legjitimitet e kokë në vete po zhvillon negociata me Vuçiqin për territorin e sovranitetin e vendit. Kosova nuk i ka borxh Serbisë, përkundrazi, është Serbia që i ka shumë borxhe Kosovës, me mbi 100.000 shtëpi të shkatërruara, prona e dokumente të vjedhura, e mbi të gjitha, mbi 12.000 të vrarë, 1650 të pagjetur, 20.000 viktima të dhunës e gati 1 milion të zhvendosur dhunshëm. Kësaj Serbie që ende nuk i pranon fajet e veta, Thaçi po dëshiron t’ia japë edhe Ujmanin e Trepçën. Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Protesta e sheshi bëhen hapësirat e vetme dhe të domosdoshme për të shprehur bindjet dhe vullnetin tonë në mbrojtje të vendit. Të shtunën, me 29 shtator, prej orës 14:00, së bashku do të protestojmë paqësisht e qytetarisht në Prishtinë kundër pazareve me Serbinë, për sovranitetin e vendit”, thuhet në thirrjen e protestës. /Indeksonline/