Osmani vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n në forcimin e FSK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një takim shefen e operacioneve aktuale në selinë e NATO-s, Ariella Viehe, drejtorin në largim të NALT-it, gjeneralbrigade Christian Nawrat dhe drejtorin e ri, gjeneralbrigade dr. Sven Lange.
Në takim, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të NALT-it në zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera të sigurisë, në përputhje me standardet e NATO-s dhe të shteteve anëtare e partnere të saj.
Duke iu referuar vizitës së fundit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e angazhimit të NATO-s për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e globale dhe e vlerësoi lart mesazhin e tij në mbështetje të Kosovës.
Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të djeneralit Nawrat gjatë mandatit të tij, në një periudhë të ndjeshme për sigurinë e vendit dhe rajonit. Ajo e falënderoi për angazhimin e tij profesional në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe për bashkëpunimin e frytshëm me institucionin e presidentes.
“Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si edhe për bashkëpunimin e tij të ngushtë me institucionet e Kosovës, presidentja Osmani i ndau gjeneralit Nawrat-it Medaljen Presidenciale Ushtarake”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, për gjeneralbrigade dr. Sven Lange, presidentja shprehu besimin e plotë se ai do të vazhdojë me sukses zbatimin e objektivave dhe projekteve të rëndësishme të NALT-it për avancimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n./Indeksonline/