Osmani i tregon emisares britanike për ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet e 12 tetorit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar dje me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Perce.
Osmani dhe Pierce diskutuan për zgjedhjet e mbajtura të dielën, teksa presidentja thotë se e njoftoi emisaren britanike rreth ndërhyrjes së paligjshme të Serbisë, në zgjedhjet e 12 tetorit, shkruan IndeksOnline.
“Një sjellje e tillë destabilizuese duhet të përballet me një përgjigje të qartë dhe të bashkuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë” u shpreh presidentja.
Osmani dhe Pierce po ashtu folën për formimin e qeverisë dhe axhendën e përbashkët strategjike mes dy vendeve.
Ky është postimi i plotë i Osmanit:
Dje, fola me Dame Karen Pierce, të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor.
Diskutuam zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë – një ushtrim i rëndësishëm demokratik që tregoi edhe një herë profesionalizmin e institucioneve tona dhe angazhimin e qytetarëve ndaj demokracisë.
Shpreha shqetësim të madh për ndërhyrjen e paligjshme të Serbisë në zgjedhjet tona përmes veprimeve që godasin vetë zemrën e demokracisë. Një sjellje e tillë destabilizuese duhet të përballet me një përgjigje të qartë dhe të bashkuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë.
Diskutuam gjithashtu hapat e ardhshëm drejt formimit të Qeverisë dhe avancimit të axhendës sonë të përbashkët strategjike dypalëshe.