Osmani ia prezanton Sorensenit vërejtjet për draftin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në takimin që e ka zhvilluar me të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, sipas presidencës, ia ka paraqitur atij vërejtjet për Draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Në takim me z. Sorensen, presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si edhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa ripotencoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marreveshjes së shkurtit 2023.
Sipas presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme dhe theksoi se, në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike, Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë.
Në njoftimin e presidencës, thuhet se ajo ritheksoi gjithashtu nevojën për heqjen e masave të padrejta të vendosura nga BE-ja, në qershor 2023, duke theksuar ndikimin e tyre negativ në jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim si dhe dëmtimin e vet procesit të dialogut duke e bërë atë të pabalansuar.
“Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, theksoi ajo.

Gjatë takimit u diskutua roli i NATO-s, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, krahas institucioneve të Kosovës, sikurse edhe roli i EULEX-it, në kontekstin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.