21:53 / E Martë, 20 Shtator 2022 / shkelqim osmanaj

Osmani jep detaje nga takimi i liderëve të Ballkanit me Borrell

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka marrë sot pjesë në takimin e organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Nju Jork.

Ajo me këtë rast ka shprehur përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet, si dhe rrugën e saj euroatlantike.

“Kërkova përmbyllje urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ndryshe, takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor me Borrell është mbajtur në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në SHBA.