75 Mall Live Search
22:56 / E Hënë, 04 Maj 2020 / indeksADMonline

Osmani: Kam reaguar në Twitter për vdekjen e 26 vjeçarit, atyre që po e politizojnë s’u intereson e vërteta

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në faqen zyrtare Facebook, ka reaguar ndaj disa mediave që sipas saj, kanë shpifur duke shkruar se ajo nuk ka ngushëlluar familjen e 26 vjeçarit nga Gjilani që vdiq në rrethana ende të panjohura, duke kërcyer nga kati i 5-të i konviktit numër 7 në konvikte.

Ky është postimi i saj:

Shpifje në kohë pandemie e tragjedie

Kosova dje humbi një të ri të shkëlqyeshëm, i cili me punën e zellin e tij ndaj mësimit e bënte krenar familjen, ndërsa nesër do ta bënte krenar edhe gjithë Kosovën. Ende pa u qartësuar rrethanat e vdekjes së tij, medie të caktuara, për fat të keq, ngarendin pas shpifjeve e dezinformatave, duke ia shtuar kështu dhimbjen familjes dhe secilit njeri racional që sot e ka vendosur njerëzoren mbi politizimin dhe bashkëndjesinë me familjen mbi keqpërdorimin e rastit për arsye politike.

Në vazhdën e këtyre dezinformimeve, medie të caktuara tani vendosin tituj si: “Vjosa Osmani e vetmja qe nuk e ngushëllon familjen Musliu”. Natyrisht që kjo është një gënjeshtër e pastër, pasi që unë kam reaguar mbrëmë, pra para 23 orësh, në profilin tim zyrtar në twitter, kurse sot ia kam përcjellë Komunës së Gjilanit tegramin e ngushëllimit, në mënyrë që ata pastaj t’ia përcjellin atë familjes. Por, atyre që dëshirojnë politizim e keqpërdorim edhe në raste të një tragjedie të tillë të rëndë për familjen e për gjithë vendin, nuk u intereson e vërteta. Më të rëndësishme për ta janë disa klikime të fituara mbi shpifje e sajesa në kohë pandemie, sesa e vërteta.

Më poshtë po jua përcjellim tekstin e reagimit të mbrëmbshëm në Twitter, si dhe teksti telegramit, i cili nëpërmjet Komunës së Gjilanit do t’i përcillet familjes.