75 Mall Live Search
12:41 / E Enjte, 05 Mars 2026 / F.R

Osmani: Kazerma “Adem Jashari” qëndron krenare mbi tokën e lirë të vendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë manifestimit të Epopeja e UÇK-së, deklaroi se kazerma “Adem Jashari” qëndron krenare mbi tokën e lirë të vendit.

Duke folur para pjesëtarëve të Forca e Sigurisë së Kosovës, ajo theksoi se FSK-ja është pasardhëse e denjë e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, shkruan IndeksOnline.

“Në këtë tokë ku dikur u ngritën nga krisma të armëve të rënda për lirinë, sot qëndron krenare kazerma ‘Adem Jashari’, një emër që nuk është thjesht emërtim institucioni, por është mbi të gjitha një amanet.

Është përkujtim i përjetshëm i një figure që është bërë simbol i përjetësisë kombëtare – komandantit legjendar Adem Jashari dhe i gjithë familjes Jashari. Ata nuk zgjodhën rrugën e lehtë, por zgjodhën sakrificën, përballjen dhe mbi të gjitha frymëzimin”, tha Osmani.

Presidentja rikujtoi gjithashtu se në Prekaz, komandanti legjendar dhe familja e tij e shndërruan shtëpinë në një kështjellë rezistence, ndërsa gjaku i tyre, sipas saj, u bë burim i jetës dhe i pavdekësisë për vendin.

“Në Prekaz, komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij e shndërruan shtëpinë në kështjellë rezistence. Gjaku i tyre u bë burim i jetës dhe i pavdekësisë sonë”, deklaroi Osmani./IndeksOnline/