Osmani: Kosova, nga një viktimë e gjenocidit, në një partner të besueshëm për rajonin dhe aleatët

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Forumin e Paqës në Paris.
Lidhur me këtë takim, e para e shtetit ka deklaruar se Kosova është shëmbulli më i mirë i një vendi që ka përjetuar luftën dhe gjenocidin, por që ka punuar intensivisht për t’u shndërruar në partner të besueshëm.
“Paqja është e mundshme vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat dhe ballafaqim me të kaluarën. Në të kundërt, rrezikojmë që e kaluara të përsëritet” deklaroi Osmani.
Ky është njoftimi i plotë i presidentes:
Në Forumin e Paqes në Paris, përkrah presidentes së Hungarisë, Katalin Novak, Pascal Boniface dhe Jean-Marie Guéhenno, diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit në këto kohë sfiduese për kontinentin tonë.
Potencova se Republika e Kosovës është shembulli më i mirë i një vendi, i cili ka përjetuar terrorin e luftës, ka qenë viktimë e gjenocidit, por ka punuar intensivisht për t’u shndërruar në një partner të besueshëm për rajonin dhe për aleatët ndërkombëtar.
Duke reflektuar mbi zhvillimet aktuale në Evropë, por edhe mbi sfidat, të cilat i ka përjetuar vendi ynë, potencova se për bashkëpunim të suksesshëm dhe multilateralizëm efektiv, duhet të rikujtojmë gjithnjë se:
Akomodimi i autokratëve nuk sjell asnjëherë më shumë paqe. Përkundrazi, kjo krijon më shumë hapësirë për shkatërrim e luftë si dhe inkurajon më shumë autokracinë dhe hegjemonitë
Paqja është e mundshme dhe afatgjate atëherë kur nuk shpërblehen agresorët
Nuk duhet kurrë të biem në kurthin e dyanshmërisë. Nuk mund të përdorim argumentin e dyanshmërisë kur është e qartë se kush është viktima e kush agresori.
Paqja është e mundshme vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat dhe ballafaqim me të kaluarën. Në të kundërt, rrezikojmë që e kaluara të përsëritet.
Andaj, paqja dhe bashkëpunimi do të jenë të mundshme dhe të qëndrueshme vetëm kur partneritetet ndërtohen mbi bazën e vlerave të njëjta dhe duke respektuar vlerat demokratike e të drejtat e njeriut.