75 Mall Live Search
22:32 / E Shtunë, 11 Tetor 2025 / MSH

Osmani krenar për fushatën në Fushë-Kosovë, ka një mesazh për qytetarët

Kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës nga radhët e LDK-së, Besnik Osmani, ka falënderuar të gjithë qytetarët për gatishmërinë e tyre gjatë kësaj fushate elektorale.

Një ditë para zgjedhjeve, Osmani tha se vlerëson lart çdo takim që pati me banorët e Fushë-Kosovës, ku synim i përbashkët ishte përmirësimi i jetesës në këtë komunë.

“Çdo votë është zëri juaj për të ardhmen, për një qytet që ecën përpara me drejtësi, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm” u shpreh Osmani.

Ai po ashtu falënderoi të gjithë ata që u angazhuan në realizimin e kësaj fushate dhe energjinë pozitive të përçuar.

Ky është postimi i plotë i tij:

Dua të falënderoj të gjithë vullnetarët, aktivistët, të rinjtë, strukturat, nëndegët e LDK-së dhe të gjithë simpatizantët që me përkushtim, korrektësi dhe energji pozitive kanë bërë të mundur një fushatë shembullore, të ndërtuar mbi respekt, vizion dhe dashuri për Fushë Kosovën tonë.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për të gjithë ata që kanë punuar me dekada për komunën tonë dhe për familjet e tyre, që kanë dhënë kontribut të çmuar në ndërtimin e institucioneve, besimit dhe zhvillimit të qytetit tonë.

Po ashtu, respekt e mirënjohje të thellë për kryetarin z.Burim Berisha që e ka udhëhequr këtë komunë për më shumë se dy dekada, për punën, përkushtimin dhe kontributin e tij të gjatë në shërbim të qytetarëve të Fushë Kosovës.

Ju jeni forca e vërtetë e këtij rrugëtimi – dëshmia më e mirë se politika mund të bëhet me dinjitet, me ide dhe me vullnet për të sjellë ndryshim.

Tani është koha për të vepruar.

Ftoj çdo qytetar të Fushë Kosovës të dalë në zgjedhje dhe të shprehë vullnetin e tij të lirë, për një proces demokratik, të qetë dhe dinjitoz.

Çdo votë është zëri juaj për të ardhmen, për një qytet që ecën përpara me drejtësi, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Bashkë, e bëjmë realitet vizionin tonë të përbashkët.

Fushë Kosova PËRTEJ!

Lidhja Demokratike e Kosovës – 113

Sinqerisht,

Besnik Osmani