16:47 / E Martë, 24 Nëntor 2020 / Blerim

Osmani kujton policët Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj të vrarë 17 vite më parë

Ushtruesja e Detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot policët e vrarë në detyrë nga Deçani, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj.

Osmani ka vënë në dukje se beteja për shtet të së drejtës është beteja më e vështirë. Ajo bëhet veçanërisht e vështirë kur goditen garantuesit e saj, policët, sepse kështu përcillet mesazhi i pafuqisë së shtetit për t’i garantuar liritë qytetare e veprimin efikas të institucioneve.

“Vrasja e Sebahate Tolajt e Isuf Haklajt këtu e 17 vjet më parë është njëra ndër goditjet më të mëdha që iu dha shtetit të së drejtës, por e cila nuk e frenoi dot ëndrrën tonë për shtet, së pari, dhe për shtet të së drejtës, së dyti. Dhe nuk do të frenojë asnjëherë kërkesën për drejtësi per Sebahaten e Isufin”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka thënë se guximi dhe vendosmëria e tyre qëndrojnë në themelet e ëndrrës sonë për shtet ligjor dhe shembulli që duhet ndjekur se si duhet atdheu.

“I përjetshëm kujtimi për ta!”, mbyll postimin e saj Osmani.