Osmani mbështet protestën e së premtes në Tiranë: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, Serbia agresori i vetëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur përkrahje të plotë për protestën që do të mbahet në Tiranë të premten, e me të cilët do të kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen qe pesë vjet në paraburgim në Hagë.
Osmani ka thënë se ka qenë vetëm një agresor dhe ajo është Serbia. E para e shtetit tha se UÇK-ja ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës e republikën tonë.
“E mbështes këtë protestë dhe kam mbështetur çdo protestë që thërret për drejtësi. Qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët gjithandej asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë tjetër, përveç drejtësisë drejtësi që respekton parimet më të larta të mbrojtjes dhe të drejtave të njeriut dhe siç e dini Kosova dhe më konkretisht krerët në Hagë, pikërisht pse kanë pasur besim në drejtësi janë paraqitur përpara saj, tashmë po bëhen 5 vjet pa asnjë dyshim në drejtësinë ndërkombëtare. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri, për ta mbrojtur popullin tonë, e për ta çliruar Kosovën nga okupimi. Për këto që e ka parë me sytë e vet se çfarë ka ndodhur në këtë luftë, dihet qartë se ka qenë vetëm një agresor, Serbia dhe vetëm një viktimë – Kosova. UÇK-ja ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës, republikën tonë dhe drejtësinë e kësaj lufte ne do ta mbrojmë deri në fund”, tha Osmani para mediave.