75 Mall Live Search
09:18 / E Mërkurë, 07 Maj 2025 / MSH

Osmani nderohet me urdhrin e familjes mbretërore “Datin Laila Utama” nga sulltani i Bruneit

Gjatë vizitës shtetërore në Sulltanatin e Bruneit Darussalam, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me urdhrin e familjes mbretërore “Laila Utama”, më i larti në nivel të shtetit.

Ky urdhër u jepet tradicionalisht udhëheqësve të huaj ndërkombëtarë. Me këtë nderim, presidentes Osmani i është dhënë gjithashtu edhe titulli honorifik “Datin Laila Utama”, i cili bart një nder të veçantë në protokollin shtetëror të Bruneit.

Në ceremoninë e pranimit të këtij urdhri dhe titulli, presidentja Osmani u shpreh se ky nder është një simbol i fuqishëm i respektit të ndërsjellë dhe i miqësisë që po ndërtohet në mes dy popujve.

“Ky urdhër dhe ky titull nuk është vetëm një vlerësim për mua, por mbi të gjitha një nderim për popullin e Kosovës. Jam thellësisht mirënjohëse për mikpritjen dhe respektin e treguar nga sulltani dhe populli i Bruneit”, ka theksuar Osmani.

Ky nderim i lartë është dëshmi e përkushtimit të presidentes Osmani ndaj forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe promovimit të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Këtë urdhër mbretëror dhe titull prestigjioz e ka marrë më parë edhe mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar.