75 Mall Live Search
13:57 / E Hënë, 17 Nëntor 2025 / S Z

Osmani nderon me Urdhrin e Lirisë, Harry Bajraktarin, si vlerësim për kontributin e tij për lirinë e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani, ka ndarë sot “Urdhrin e Lirisë” për Harry Bajraktarin, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Në njoftimin e saj, presidentja Osmani vlerësoi rolin historik të Bajraktarit, duke theksuar se për më shumë se tri dekada ai ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtete të Bashkuara të Amerikës.

“Ishte nder i veçantë që sot ia ndava “Urdhrin e Lirisë”, z. Harry Bajraktari, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Për më shumë se tri dekada, z. Bajraktari ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qysh në vitet e para, ai ka bashkëpunuar ngushtë me presidentin historik Ibrahim Rugova, duke e përfaqësuar kauzën e Kosovës para institucioneve amerikane në një periudhë tepër të ndjeshme për vendin tonë”, ka shkruar ajo.

Presidentja shtoi se Bajraktari ishte një mbështetës i palëkundur i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një zë i fuqishëm i komunitetit shqiptaro-amerikan në arenën ndërkombëtare.

“Gjithashtu, ai ka qenë mbështetës i palëkundur i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si edhe ka ngritur zërin e komunitetit shqiptaro-amerikan në arenën ndërkombëtare. Me përkushtim të pandalur, ai ka ndërtuar ura të rëndësishme bashkëpunimi me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin amerikan dhe me udhëheqës të tjerë në SHBA, duke mbështetur Kosovën në momentet vendimtare dhe duke qëndruar krah popullit tonë”, ka shkruar ajo.