Osmani: Nga nesër do të filloj procesi i identifikimit të kufomave

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar osmani, ka folur rreth aksidentit tragjik që ndodhi në Bullgari, ku humbën jetën 45 qytetarë nga Maqedonia e Veriut.
Ai tha se deri më tani në raportet zyrtare kanë humbur jetën 45 persona, prej tyre 12 fëmijë dhe janë shtatë të mbijetuar.
“Ishte njëra prej tragjedive më të mëdha në historinë e këtij vendi ku humbën jetën 45 persona, nga të cilët 12 fëmijë. Për fat të mirë kishte shtatë të mbijetuar nga të cilët sot i takova personalisht në klinikën e Sofias. Janë në gjendje të mirë, jashtë rrezikut për jetë dhe gjatë ditëve në vijim pritet të transferohen edhe në spitalet e Shkupit ose shërim shtëpiak”, është shprehur Osmani.
Më tej, Osmani bëri të ditur se ekspertët bullgar dhe ekspertët maqedonas kanë filluar procesin në dy pista, atë të identifikimit të kufomave, dhe atë të hetuesisë në identifikimin e shkaqeve që kanë çuar deri në këtë aksident.
Tutje, ai bëri të ditur se procesi i identifikimit të kufomave ende s’ka filluar, por që para disa orësh trupat e pajetë janë evakuuar nga autobusi për në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Sofje.
“Ende s’ka filluar procesi i identifikimit ku para disa orësh janë evakuuar trupat nga autobusi për në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Sofje. Ekspertët nga Mjekësia Ligjore nga Shkupi janë në Sofje, dhe besoj se nga nesër do të filloj procesi i identifikimit”, është shprehur Osmani, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, sa i përket kompanisë të cilës i përket autobusi, Osmani tha se kompania si e tillë ka pasur licencat e nevojshme, por autobusi konkret nuk e ka pasur licencimin, pasi sipas tij, me ligjet maqedonase, në raste të tilla nevojitet licencim i trefishtë, ai i kompanisë, i mjetit dhe i vozitësit
“Kompania si e tillë ka pasur licencat e nevojshme, por autobusi konkret nuk e ka pasur licencimin, ku sipas ligjit tonë, licencimi i trefishtë është i nevojshëm, i kompanisë, i mjetit dhe i vozitësit. Por, sot nuk është koha për konstatime, sot është koha të lutemi për të lënduarit e viktimat e kësaj tragjedie”, tha ai.
Kurse, për të gjitha shpenzimet e varrimit dhe të transferimit të kufomave në Maqedoni të Veriut, Osmani tha se për të gjitha këto do të përkujdeset qeveria.
“Sot, qeveria mori vendim që të shpallen tri dite zie në Maqedoni të Veriut. Të gjitha hapat e mëtutjeshëm, për t’iu mundësuar një transferim të dinjitetshëm kufomave por edhe varrimin e tyre do t’i mbulojë qeveria”, tha Osmani.