75 Mall Live Search
14:53 / E Enjte, 22 Qershor 2023 / S Z

Osmani ngushëllon familjen Nimani: Ishte intelektual i jashtëzakonshëm, frymëzoi studentë të panumërt

Presidentja Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor për ndarjen nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani.

Sipas Osmanit, ai ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt.

Në vijim gjeni të plotë ngushëllimin e Presidentes Osmani:

Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarje nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani.

Fjalët e skalitura nga ai në pergamenë, janë testament për brezat që do të vijnë dhe kujtim i përhershëm për të.Për një kontribut të tillë, sikurse edhe atë në fushën e arteve, z.Nimani më 17 shkurt të këtij viti është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Ai ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt.

Veprimtaria e tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe besimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës.Ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor!