75 Mall Live Search
10:31 / E Enjte, 04 Shtator 2025 / MSH

Osmani ngushëllon popullin portugez, pas aksidentit tragjik të tramvajit në Lisbonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar telegram ngushëllimi homologut të saj portugez, Marcelo Rebelo de Sousa, pas aksidentit të tramvajit në Lisbonë.

“Zemrat dhe solidariteti ynë janë me presidentin Marcelo Rebelo de Sousa, kryeministrin Luis Montenegro dhe popullin e Portugalisë, pas aksidentit tragjik të tramvajit Gloria në Lisbonë.

Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave dhe u uroj shërim të shpejtë të plagosurve. Ne qëndrojmë pranë miqve tanë portugezë” shkroi Osmani.

Aksidenti që zuri vend në qendër të Lisbonës dje, u mori jetën 15 personave, teksa 23 të tjerë u lënduan.

Tramvaji i njohur si “Elevador da Gloria” doli nga shinat, duke u bërë një prej aksidenteve më tragjike të regjistruara në kryeqytetin portugez, raporton IndeksOnline.

Aksidenti ndodhi në orën 18:05, pranë sheshit “Restauradores”, pasi një kabllo sigurie u këput, duke bërë që automjeti të humbiste kontrollin dhe të përshpejtonte poshtë shpatit që lidhte pjesën e sipërme të qytetit me lagjen Baixa Pombalina.

Aksidenti preku edhe një teleferik të dytë që ishte ndaluar në fillim të rrugës Gloria, e që kishte disa pasagjerë brenda./IndeksOnline/