75 Mall Live Search
12:39 / E Premte, 17 Janar 2020 / indeksADMonline

Osmani: S’bashkëpunojmë me PAN-in, për ta shkarkuar Konjufcën

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do të pranojnë të bëhen bashkë me PAN-in për ta shkarkuar Glauk Konjufcën nga pozita e kryetarit të Kuvendit.

Përveç kësaj ajo ka thënë se LDK-ja nuk do të marrë ndonjë inicitaive për ta shkarkuar Konjufcën nga pozita e të parit të Kuvendit.

Këto deklarata Osmani i ka bërë sot për gazetarët nga selia e LDK-së.

Ajo gjithashtu ka potencuar se është optimiste në arritjen e marrëveshjes me Vetëvendosjen për koalicionin qeverisës.

 Dje Vetëvendosje përmes një zarfi ka refuzuar propozimin e LDK-së që t’ia kthejnë kryeparlamentarin deri në zgjedhjen e presidentit nga LDK-ja dhe ndarjen e ministrive 5 me 5.

Më pas kreu i LDK-së Isa Mustafa, në një konferencë shtypi, ka deklaruar  se këtë letër nuk e konsideron zyrtare.

Dy partitë tashmë i  kanë bërë ofertat e fundit njëra-tjetrës, ndërkohë situata është bllokuar dhe nuk ka asnjë deklarim për pranim apo refuzim të ofertave.

Nga ana tjetër presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar lëvizje në rast se situata vazhdon të mbetet e bllokuar, derisa nga VV-ja kanë thënë se do ta dërgojnë emrin e mandatarit pa vonesa.