Osmani për buxhetin e Kryeqytetit dhe marrëveshjet: I luta partitë kthenu në Kuvend miratoni, refuzuan
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se tashmë nuk mund të kërkojë nga deputetët të mblidhen për çështjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës dhe RTK-së, duke theksuar se për një gjë të tillë iu ishte lutur partive politike ditën kur kishte dështuar të zgjidhet mandatari i dytë për kryeministër.
Osmani ka thënë se ka bërë çdo përpjekje për ta shtyrë përpara dhe të gjejë zgjidhje, por janë partitë e ish-opozitës që nuk pranuan dhe refuzuan të kthehen dhe njëherë në Kuvend para se ta nënshkruante dekretin për shpërndarje.
“Kush ka dashur që kryeqyteti të ketë buxhet kanë pasë mundësinë që ta votojë si pikë të ndarë dhe tjerat mos t’i votojnë. Por fatkeqësisht kjo nuk u shfryëzua si mundësi edhe pse ka qenë e lejueshme edhe me Kushtetutë, ligjet në fuqi dhe praktikën parlamentare. Pasi ka dështuar mandatari i dytë ne kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që thotë Kuvendi nuk shpërndahet automatikisht, pra edhe kur dështon mandatari i dytë, ende kemi Kuvend deri në momentin kur unë nënshkruaj dekretin për shpërndarje dhe unë nuk e kam nënshkruar. Qëllimisht i kam ftuar partitë politike dhe i kam lutur, ju lutem para se ta shpërndajë Kuvendin, kthenu në sallën e Kuvendit e unë ju pres këtu. Miratoni marrëveshjet ndërkombëtare prej 1.1 miliard të cilat kërkojnë 2/3, miraton buxhetet. Kam kërkuar nga kryeministri, i kam thënë a mundesh me heq dorë nga buxheti 2026 dhe të trajtohen vec me pikat tjera dhe ai është pajtuar që të hiqet çështja e buxhetit 2026 dhe të shkohet në seanca me 1.1 miliardë, buxhetin e Prishtinës, Gjilanti dhe zgjatjen buxhetore por nuk ka pasë dakrodim nga partitë e tjera. Mundësi ka pasë por jo edhe vullnet politik. Unë kam shfrytëzuar çdo instrument dhe duhet t’i pyesin ata pse i kanë refuzuar këto propozime”, tha Osmani.
Ajo ka theksuar edhe se atë cka kërkoi ajo nuk ishte kundërkushtetuese.
“Tani që nuk ka Kuvend unë nuk kam se ku t’i çojë deputetët, as t’iu kërkojë se ku të mblidhen sepse nuk kanë ku mblidhen derisa të mbahen zgjedhjet që i kanë kërkuar vetë ta kemi rezultatin, të certifikohen dhe të konstituohet dhe me shpresë që do të bëhet qeveria e re. Por si presidente kam bërë gjithçka, por është refuzuar nga disa parti. Nuk është e vërtetë që një gjë e tillë do të ishte kundërkushtetuese” , tha ajo.
Osmani u pyet se a mund të ketë një zvarritje tjetër për konstituim të Kuvendit, e për çka nuk e ka përjashtuar.
“Shqetësim ka sepse nuk është larg koha që kishim situata të tilla, këto veç sa ndodhën por shpresoj që kjo të ketë qenë një mësim i mësuar dhe një përvojë nga e cila partitë politike të kenë mësuar se zvarritja është në dëmë të interesave të qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.

