16:09 / E Shtunë, 06 Mars 2021 / OSH

Osmani për ekspozitën me 59 fotografi: Dëshmi autentike e rrugëtimit tonë për liri

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në hapjen e ekspozitës me 59 fotografi në kuadër të Ditëve të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Secila foto është rrëfim në vete. Secila e ka një mesazh, shumica prej tyre të papublikuara më parë”, ka thënë Osmani.

Ajo tha se rruga deri në liri dhe pavarësi nuk ka qenë as e lehtë dhe as e shkurtër, duke përmendur sakrificën e familjes Jashari, dëshmorëve, viktimave civile, dëbimin e shqiptarëve gjatë luftës dhe të pagjeturit për të cilët tha se Kosova nuk duhet të ndalet deri sa ta zbardhë fatin e gjithsecilit.

“59 fotot e sotme janë tablo reale të një periudhe të jetuar dhe dëshmi autentike e rrugëtimit tonë për liri. Ato janë historia jonë më e re të cilën assesi nuk duhet ta harrojmë por gjithnjë duke shikuar kah  e ardhmja me shpresën dhe besimin se e nesërmja gjithnjë do të jetë më e mirë se e djeshmja”.

“Gjera ne lëvizim para nuk mund të mos e kthejmë shikimin pas kah ata që bënë sakrificën më sublime që ne mos ta ndalim hapin tonë më të sigurt drejt të ardhmes sonë më të mirë”.

“Gjersa ne lëvizim para, nuk mund të mos e kthejmë shikimin prapa”.

Për më tepër, Osmani shtoi që ata duhet ta ngritin zërin për drejtësi gjë të cilën e konsideron parakusht për paqe të qëndrueshme.