Osmani për vdekjen e dy minatorëve: Me të drejtë janë quajtur luanët e nëntokës

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, pas lajmit që dy minatorë vdiqën në minierën e Artanës, ata i quajti luanët e nëntokës, shkruan IndeksOnline.
“ Ata gërmuan në thellësi çdo ditë e me vjet të tëra. Sot ishte dita e fundit e punës së dy minatorëve, jo pse deshën ata, por sepse u përballën me një të papritur që ua mori jetën!
Minatorët janë simbol i Kosovës, i pasurisë nëntokësore të vendit dhe punës me djersë. Me të drejtë janë quajtur luanët e nëntokës”, tha ajo.
Osmani shtoi se ata gërmuan për të jetuar populli dhe familjet e tyre.
“Ata gërmuan për të jetuar ne dhe familjet e tyre. Ata janë sinonim i punës së zellshme e të mundimshme të shumë punëtorëve kosovarë, të cilët ushtrojnë profesionet e tyre edhe në mungesë të kushteve të domosdoshme të punës.
U prehshin të qetë në dheun e tokës së Kosovës!”, shtoi ajo./IndeksOnline/