75 Mall Live Search
20:10 / E Mërkurë, 26 Mars 2025 / Z S

Osmani përkujton 26 vjetorin e masakrës ndaj familjes Berisha: Burra, gra e fëmijë u shënjestruan vetëm pse ishin shqiptarë

Sot më 26 mars, janë bërë 26 vjet nga Masakra në familjen Berisha e cila ndodhi në Suharekë në vitin 1999-të.

Aty 48 anëtarë të kësaj familje, u vranë mizorisht nga regjimi serb, në mesin e tyre edhe 19 fëmijë.

E Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në përkujtim të kësaj ngjarje makabre, tha se burra, gra e fëmijë u shënjestruan vetëm sepse ishin shqiptarë.

”Në Suharekë, më 26 mars 1999, 48 anëtarë të familjes Berisha u masakruan nga regjimi gjenocidal serb. Burra, gra e fëmijë u shënjestruan vetëm sepse ishin shqiptarë.Në atë natë të tmerrit, u vranë mizorisht edhe 19 fëmijë. Çanta e Altinit, këpucët e Redonit dhe biçikleta e Kushtrimit, janë kujtimet e fundit të fëmijëve të pafajshëm që u shuan dhunshëm.Nga kjo tragjedi, vetëm tre vetë mbijetuan – Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja.Për të shpëtuar jetën e tyre, ata u hodhën nga kamioni në lëvizje, i cili po transportonte trupat drejt Prizrenit. Sipas rrëfimeve të Vjollca Berishës, në atë kamion kishte edhe të tjerë që ishin ende gjallë, por të plagosur rëndë”, u shpreh Osmani.

Të mbijetuarit janë dëshmi e krimit dhe e pritjes për drejtësi, prandaj dhimbja nuk do të shuhet kurrë, e as zëri ynë nuk do të heshtë e nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa drejtësi, ka shtuar Osmani.