75 Mall Live Search
17:17 / E Mërkurë, 03 Shtator 2025 / S Z

Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Sllovenisë, shpreh gatishmërinë për të punuar në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.

Në takim, Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Blaj mirëseardhjen në Kosovë dhe e përgëzoi për detyrën e re, duke theksuar gatishmërinë për të punuar ngushtë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Presidentja Osmani vuri në pah marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Kosovës dhe Sllovenisë, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe mbështetje reciproke. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani falënderoi Slloveninë për përkrahjen e
vazhdueshme, mbështetjen në rrugën euroatlantike dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ndër të tjera, në takim, Presidentja Osmani përmendi rolin e Sllovenisë si një nga iniciatorët e Procesit Brdo-Brijuni dhe theksoi rëndësinë që Kosova i kushton këtij formati si platformë për dialog rajonal, stabilitet dhe perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor.