75 Mall Live Search
14:17 / E Martë, 02 Maj 2023 / LB

Osmani: Pres që Kurti ta ketë gati draftin për Asociacionin – nuk duhet të bëhet bazë e negociatave drafti i Vuçiqit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pret që edhe kryeministrit, Albin Kurti të ketë gati një tjetër draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ai që është hartuar nga Ekipi Menaxhuese. Osmani ka thënë se Kosova duhet të ketë draftin e saj dhe këto komente të saj po bëhen pak para takimit të Kurtit me Vuçiqi.

Presidentja Osmani ka treguar pritshmëritë e saj për takimin e sot të kryeministrit, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruskel.

Osmani ka thënë se draft-statuti i hartuar nga Ekipi Menaxhues është draft i Vuçiqit dhe se Kosova nuk duhet që të lejojë që ky draft të bëhet bazë e negociatave.

Në bazë të kësaj, ajo ka thënë se Kosova duhet të këtë draft-statutin e saj të Asociacionit.

Pritjet e mia si presidente, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturës ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave, pra ta kemi draftin tonë që është në bazë të Kushtetutës.” – citohet të ketë thënë Osmani sipas Ekonomia Online.

Më tej, ajo ka folur edhe për temën tjetër të diskutimeve të sotme në Bruksel e që është deklarata për të pagjeturit.

Osmani ka theksuar se kjo çështje është pika e parë e agjendës dhe është hap i rëndësishmë i dialogut.

Çështja e të zhdukurve me dhunë është pika e parë e agjendës nga ajo që është prezantuar nga ana e ndërmjetësve të Bashkimit Evropian. Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e dialogut me Serbinë sepse do ta detyrojë Serbinë që t’i hap arkivat, aty ku gjinden edhe arkivat e qindra mijëra të luftës së fundit në Kosovë. Natyrisht kemi shumë dyshime në atë se çfarë do të zbatojë Serbia, megjithatë shpresojmë që pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët nëse nuk bllokohet nga ana e Serbisë, do të përfundojë sot.” – ka thënë tutje ajo.

Ndërkohë, Kurti ka thënë se është i lumtur të shohë se çfarë draft-statuti është përgatitur nga ekipi menaxhues por kishte thënë se më mirë do të ishte që ky draft t’i prezantohej fillimisht në Prishtinë.

“...edhe pse mendoj se do të ishte më mirë nëse do të ma paraqitnin fillimisht në Prishtinë,” – kishte thënë ai.

Po ashtu Kurti ka thënë se nuk do të lejojë që të ketë Republika Sërpska në veri të vendit.

Në anën tjetër, Emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Llajçak, ka thënë se sot pritet të prezantohet drafti.

Ai ka thënë se nuk e di se çfarë ka në të por sipas tij, duhet të jetë fillimi i procesit.

“Ekipi menaxhues do ta prenzantojë drafin. Ne nuk e dimë se çfarë ka në të, por duhet të jetë fillimi i procesit. Së fundi, duhet ta kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në përputhje me standardet evropiane. Ky është hapi i parë i rëndësishëm,” – u shpreh Lajçak.

Ndryshe, Kurti dhe Vuçiq pritet që të takohen sot në Bruksel. Siç bëhet e ditur takimi trepalësh do të fillojë në ora 18:00.