Osmani pret mbështetje nga të gjithë deputetët për t’u bërë presidente, nëse nuk ia del thotë se ka alternativa të tjera
Presidentja Vjosa Osmani është shprehur optimiste se do të ketë mbështetjen e deputetëve të kuvendit për të vazhduar mandatin e saj në krye të shtetit.
“Pres mbështetje nga të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha partitë politike që ia duan të mirën Kosovës, pa dallim”, tha ajo në një intervistë për Kanal-in 10.
Më herët, Osmani tha se “kur po flas për deputetët po i përfshij edhe liderët e atyre deputetëve”.
E pyetur për raportin e saj me kryeministrin Albin Kurti, Osmani tha: “Kemi raport të mirë, institucional, bashkëpunojmë për çështje që janë në interes të Kosovës dhe kështu do të jetë edhe tash e tutje”.
Në rast se nuk e merr mbështetjen e kuvendit, Osmani me bindje tha se ka alternativa të tjera për të qëndruar në jetën politike.
“Natyrisht që ka [alternativa]. Absolutisht po”, tha ajo, ndërsa shtoi se synimin aktualisht e ka të mbesë në postin që ka.
“Ne jemi të fokusuar te vazhdimi i punëve të mira në kuadër të presidencës së republikës, por nëse vullneti i deputetëve do të jetë ndryshe unë jam e bindur që Kosova dhe populli i Kosovës do të na japë mundësi që t’i shërbejmë në një mënyrë që do ta përcaktojë vetë qytetari i Republikës së Kosovës. Cilido që të jetë përcaktimi i tyre për mua do të jetë fjala e fundit”.

