75 Mall Live Search
14:33 / E Martë, 24 Qershor 2025 / S Z

Osmani pret në takim Mathisen, diskutojnë zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, z. Eirik Nestås Mathisen.

Në njoftimin e persidencës thuhet se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë, si dhe për rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme norvegjeze në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për përkrahjen e pandërprerë që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në secilën fazë të shtetndërtimit, duke theksuar se kjo mbështetje është kyçe në përpjekjet e vazhdueshme për integrim në strukturat euroatlantike.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë që Kosova të bëhet sa më parë anëtare e Këshillit të Evropës, si dhe të ecë përpara në procesin e integrimit euroatlantik.

“Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu edhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet dy vendeve, si dhe u riafirmua përkushtimi për thellimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë”, thuhet në njoftim.