15:07 / E Martë, 23 Shkurt 2021 / k.v

Osmani priti në takim Ambasadoren e Francës, Marie-Christine BUTEL

Presidentja në detyrë Vjosa Osmani- Sadriu priti sot në një takim ambasadoren e Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine BUTEL. Me këtë rast, ambasadorja e Francës e uroi u.d. të presidentes Osmani për fitoren në zgjedhjet parlamentare, duke theksuar që mbi të gjitha kjo është një fitore për qytetarët e Kosovës.

Osmani e falënderoi përzemërsisht ambasadoren Butel për përkrahjen e vazhdueshme të Francës dhe për urimet e presidentit Macron për 13- vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Ajo theksoi se pas përmbylljes së suksesshme të procesit elektoral, fokusi kryesor do të jetë konstituimi i institucioneve të reja në vend, të cilat duhet të jenë në pajtim të plotë me vullnetin e shprehur të popullit.

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional, bashkëpunimit dhe konsistencën në qeverisjen e ardhshme.