15:32 / E Hënë, 03 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Osmani: Programi i prezantuar sot u hartua në një frymë dhe koncept që ne si LDK e trashëguam nga Rugova

Nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani debatin e sotëm në Kuvendin e Kosovës e ka quajtur normal, ndërsa akuzat e opozitës kundër qeverisë Kurti i ka quajtur propagandë.

Ai është shprehur e bindur se në vazhdim të seancës do të votohet Qeveria Kurti.

“Kemi marrë mandat sot të kemi votim të suksesshëm dhe besoj se shpejt pasi të përfundojë diskutimi do të kemi votim dhe do të fillojmë të merremi seriozisht me problemet që kanë qytetarët e Kosovës”, u shpreh ajo pasi që Kuvendi ka shkuar në pushim deri në ora 15.40.

Sa i përket Glauk Konjufcës, ajo tha se do të largohet nga pozita e kryeparlamentarit vetëm pasi që të marrë mandatin si ministër.  Ndërsa për Listën Serbe, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojë Qeverinë Kurti, nënkryetarja e LDK-së tha se korniza kushtetuese është e qartë sa i përket ndarjes së ministrive për radhët e minoriteteve.

Për më tepër, Vjosa Osmani tha se Qeveria Kurti do të mbrojë interesat e të gjitha komuniteteve.

“Ne synojmë që të gjitha komunitet në Kosovë të ndihen të barabarta. I gjithë programi i prezantuar sot nga mandatari për kryeministër është program i hartuar bashkërisht në një frymë dhe koncept që ne si LDK e kemi trashëguar nga presidenti Rugova”, tha Osmani, e cila pritet të jetë kandidate për postin e kryeparlamentarit, pasi që Glauk Konjufca do të jetë ministër në Qeverinë Kurti.