75 Mall Live Search
20:26 / E Premte, 11 Shtator 2020 / indeksADMonline

Osmani: Rrezik nga një Republika Srpska në veri të Kosovës

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se ka rrezik nga një Republika Srpska në veri të Kosovës.

Ajo ka folur për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë në Washington, ku thotë se aty ka çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Kushtetutën.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Osmani a mendoni që kjo marrëveshje e ka prekur Kushtetutën?

Vjosa Osmani: Aty ka çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Kushtetutën. Neni 17 i Kushtetutës së Kosovës obligon institucionet tona, njëjtë sikur Neni 8 dhe 9 i Deklaratës së Pavarësisë, që të anëtarësohen në organizata ndërkombëtare. Delegacioni i Kosovës, përmes këtyre zotimeve të njëanshme, thotë që për një vit do ta pauzojë këtë pjesë të Kushtetutës dhe të Deklaratës së Pavarësisë, që është e pashembullt.

Për këtë çështje, po e them këtu për herë të parë, pajtimi i palës kosovare është dhënë qysh në shkurt. Jam njoftuar si kryetare e Kuvendit nga SHBA-ja, që zyrtarë të caktuar të Kosovës – jo kryeministri i atëherëshëm, por të tjerë – kanë dhënë pajtimin që Kosova të heqë dorë për një periudhë të caktuar nga e drejta e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, që pastaj domosdoshmërisht e prek edhe çështjen e njohjeve, sepse janë të lidhura.

Agjenda jonë dypalëshe dhe ajo shumëpalëshe ndikojnë natyrisht njëra-tjetrën. Kjo është dëshmuar që nga viti 2008 e këndej. Pra, këto janë çështje që natyrisht kanë të bëjnë me Kushtetutën.

E dyta, delegacioni i Kosovës ka pranuar që t’i referohet vetëm si Kosovo (Prishtina), përderisa SHBA-ja ka ofruar dokument ku quhet Republikë e Kosovës. Tani, koncesioni është bërë për shkak se ka kërkuar Serbia, por çfarë është dashur të bëjë delegacioni ynë është krejt e kundërta, pra të kërkojë që kjo të jetë një ndër pikat kyçe që mbetet në marrëveshje.

Mendoj që këto janë disa prej çështjeve, pastaj janë çështje tjera siç është mini-Shengeni, që sa po e shoh unë nga deklaratat e zyrtarëve që e kanë nënshkruar marrëveshjen dhe të tjerët që qëndrojnë mbrapa saj, është që ata akoma as nuk e dinë se si do të zbatohet kjo çështja e mini-Shengenit dhe është për të ardhur keq që pranojnë diçka që nuk e dinë se çfarë përmban.

Mendoj se ne duhet të flasim edhe për sukseset, dhe këtu sukses, siç e thashë, është fakti që SHBA-ja, për dallim prej një politikë që ka ekzistuar sidomos rreth vitit 2018, tani në mënyrë të qartë nuk lejon që të diskutohet çështja e kufijve.

Në anën tjetër, as nuk kërkojnë që të diskutohet çështja e Asociacionit, dhe kjo është tejet me rëndësi si politikë e Shteteve të Bashkuara në raport me Kosovën, që ka disa muaj, së paku prej që jam zgjedhur unë kryetare e Kuvendit dhe në çdo fjalim në Kuvend, e kam potencuar që ne duhet t’i besojmë SHBA-së sa i përket kufijve tanë.

Ata te të cilët kemi pasur dyshim janë dy presidentët (Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq), të cilët e patën hapur temën e korrigjimit të kufijve apo edhe shkëmbimit, siç e quanin kohë pas kohe.

Mendoj që është sukses dhe tejet me rëndësi që kemi një rol shumë më aktiv të Shteteve të Bashkuara. Edhe pjesa ekonomike është pjesë me rëndësi, e cila është e mirëpritur për tërë rajonin tonë, por, aty ku delegacioni ynë ka dështuar janë pikërisht pjesët, e thashë, që kanë të bëjnë me emrin kushtetues të vendit, me njohjen reciproke dhe të mini-Shengeni.

Kjo marrëveshje në tërësi ka rënë poshtë nga Gjykata Kushtetuese, është hedhur poshtë, dhe diku prej titullit e deri te pika e fundit – gati secila pjesë e saj është konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën. Tani kryeministri aktual del dhe thotë se ne duhet ta zbatojmë një dokument që është nënshkruar në Bruksel, e që është, sipas vendimit të Gjykatës, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën tonë.

Unë mendoj që ky është sfidimi më i madh sistemit tonë kushtetues që i bëhet nga një kryeministër përgjatë këtyre viteve të fundit, sepse çdo kryeministër nga viti 2015 e tutje, ka thënë se ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, rrjedhimisht nuk mund të zbatohet marrëveshja e vitit 2015. Duhet të zgjedhësh në mes të Kushtetutës tënde dhe Marrëveshjes së vitit 2015, ose dokumentit, sepse gjykata e ka konsideruar dokument të ndërmjetmë dhe jo marrëveshje.

Tani kemi një kryeministër që thotë se do ta zbatojë atë në tërësi, dhe pse e di që sipas vetë gjykatës sonë, është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Krijon kompetenca ekzekutive për atë Asociacion, që është një lloj hapi, drejt një autonomie territoriale me kompetenca ekzekutive për serbët në veri dhe, i cili është një lloj preludi, një lloj hapi paraprak për ndarje, sepse ne e dimë çfarë po ndodh sot në Republikën Srpska.

Pra, pak a shumë, është modeli i njëjtë që synohet nga ana e Serbisë, të ndërtohet edhe në veri të vendit. Prandaj, tani me aq lehtësi të thuhet se po, do ta zbatojmë, dhe madje do ta vendosim si pjesë të marrëveshjes finale, që do të arrihet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë mendoj që është një prej dështimeve më të mëdha, në mos më i madhi në komplet negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë, që kanë ndodhur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nga viti 2011 e këndej.

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo që po krijohen parakushtet për marrëveshje të reja në Bruksel?

Vjosa Osmani: Po, pikërisht, kjo është duke ndodhur, sepse ne çfarë po dëgjojmë, pasi informata konkrete me shkrim akoma nuk kemi rreth asaj se çfarë po ndodh në Bruksel, mirëpo nga deklaratat që po jepen, thuhet se është rihapur çështja e Asociacionit, çështje që ka qenë e mbyllur me vendimin e Gjykatës sonë Kushtetuese.

Gjithashtu, është rihapur çështja e pronave, çështja e cila ka qenë e mbyllur për Republikën e Kosovës që nga 17 Shkurti i vitit 2008, dhe po rihapen çështje të të drejtave të pakicave, çështje që ne i kemi mbyllur me Pakon e Ahtisarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo, sepse ju e dini, me të gjitha ato koncesione që janë bërë në Pakon e Ahtisarit, Kosova pati ardhur buzë defunksionalitetit të plotë. Tani nëse bëhen edhe hapa tutje në praktikë, do të nënkuptojë një Republikë Srpska të re në veri, dhe do ta defunksionalizojë shtetin tonë, do të krijojë kriza të njëpasnjëshme dhe kjo në fakt nuk është e mirë as për ne, as për rajonin, sepse rajoni do të vazhdojë të jetë në krizë, siç po prodhon krizë Republika Srpska, që është pjesë e Bosnjës, dhe do t’iu duhet edhe Bashkimit Evropian edhe Shteteve të Bashkuara të kontribojnë në stabilitet.

Ka ardhur koha që kapitullin me Serbinë ta përmbyllim përmes njohjes reciproke, por nuk është njohja reciproke. Pikë. Është njohja reciproke, në kufijtë aktualë, pa prekur Kushtetutën e Kosovës, pa prekur rregullimin tonë shtetëror të brendshëm dhe duke mbajtur Kosovën shtet funksional me sovranitet të plotë. Atëherë ka kuptim njohja reciproke, dhe jo që duke u thirrur në njohje reciproke, të bëhet dëm i pariparueshëm brenda Republikës së Kosovës.

Për këto gjëra, delegacioni i Kosovës duhet të jetë tejet i kujdesshëm. Për mua është befasuese se si spektri politik sot po e merr me aq qetësi deklaratën e djeshme të kryeministrit se do ta zbatojë Asociacionin e vitit 2015, përkundër faktit që Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar.

Ju e dini që ka pasur edhe protesta të dhunshme në Republikën e Kosovës, ka pasur krizë të madhe politike dhe të sigurisë për gati dy vjet me radhë shkaku i asaj marrëveshjeje. Gjykata Kushtetuese në fund e rrëzoi dhe tani kemi një qeveri që dëshiron ta shtyjë përpara, edhe pse e di që ai model që i jep kompetenca ekzekutive një trupi që në fund do të mund të ndahet, është tepër i rrezikshëm për shtetin tonë, dhe aq më tepër është në kundërshtim me Kushtetutën.

Pra, të thuhet me aq lehtësi që, po, jam duke rinegociauar një temë që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe më pas të vish para Kuvendit të Kosovës dhe pa fije turpi të thuash unë nuk flas kurrë për Kushtetutën, është vërtet diçka që do të duhej të ishte e papranueshme për secilin që mendon për këtë Republikë, për secilin që mendon se si do të mbijetojë shteti ynë edhe në vjetët e ardhshëm.