Osmani: Rruga e Ibrahim Rugovës vazhdon të jetojë fuqishëm në Kosovë
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Naser Osmani, ka falënderuar qytetarët për përkrahjen e dhënë gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se këto ditë takimesh kanë dëshmuar edhe një herë se Kosova ka njerëz të ndershëm, të përkushtuar dhe të vendosur për ndryshim pozitiv.
Në një mesazh drejtuar bashkëqytetarëve dhe rugovistëve, Osmani ka shprehur mirënjohje të veçantë për strukturat e LDK-së në Lipjan dhe për kryetarin Imri Ahmeti, të cilët, sipas tij, e kanë mbështetur dhe qëndruar pranë gjatë gjithë procesit zgjedhor.
“Faleminderit secilit qytetar, aktivist, bashkëpunëtor dhe çdo rugovisti që më ka mbështetur në çdo takim, në çdo shtëpi, në çdo lagje, fshat e qytet. Kjo përkrahje më ka dhënë forcë, guxim dhe motiv shtesë për të vazhduar edhe më vendosmërisht përpara”, ka deklaruar Osmani.
Ai theksoi se rruga e Presidentit historik Ibrahim Rugova — rruga e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë — vazhdon të jetojë fuqishëm në zemrat e qytetarëve të Kosovës.
Sipas Osmanit, LDK para qytetarëve vjen me një program të qartë, realist dhe të realizueshëm për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të drejtë.
“Ne jemi LDK — ata që dinë të qeverisin me përgjegjësi, që punojnë me ndershmëri dhe që ndërtojnë shtetin me vizion. LDK është rruga e durimit, e besimit dhe e vlerave. Partia që e ka mbajtur Kosovën në këmbë në ditët më të vështira dhe që sot e udhëheq drejt një të ardhmeje evropiane”, ka theksuar ai.
Osmani bëri të ditur se fushata është përmbyllur me takime masive dhe dinjitoze me mijëra qytetarë, duke falënderuar aktivistët për angazhimin dhe përkrahjen e jashtëzakonshme.
Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë:
“Ju lus prej zemre: dilni dhe votoni. Flisni me familjen, shokët, miqtë dhe fqinjët. Le ta kthejmë këtë besim në fitore.”
Voto LDK – 123
Voto Naser Osmani – 55
“Zoti e bekoftë Kosovën!
Rroftë LDK-ja!”

