Osmani: Seanca e radhës plenare mbahet të enjten

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë.
Osmani bëri të ditur se është vendosur që të enjten të zhvillohet seanca e radhës plenare, ku do të procedohen shumë projektligje të mbetura pezull.
“Ju njoftoj se sot mbajtëm mbledhjen e radhës ku ndër të tjera u pajtuam që të mbajmë seancë të rregullt këtë të enjte, ku do të shqyrtohet një sërë vendimesh e projektligje. Vendimi i parë ka të bëjë me tejkalimin e lejuar sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, që krijon një bazë të nevojshme ligjore sa i përket menaxhimit të pandemisë nga aspekti ekonomik. Kurse të tjerat kanë të bëjnë me marrëveshjet ndërkombëtare, pra projektligje që prej një kohe po presin në Kuvend. Tashmë kemi arritur që të gjitha të procedohen në seancë dhe pas trajtimit në komision të enjten do të shqyrtohen pasi të gjitha janë marrëveshje ndërkombëtare që kanë të bëjnë me mbrojtjen apo ndihmën në raport me qytetarët tanë”, tha Osmani, shkruan Indeksonline.
Osmani shtoi po ashtu se ka një sërë marrëveshjesh të tjera që beson se do të procedohen së shpejti në Kuvend, pasi në veçanti kanë të bëjnë me Bankën Botërore që do të ndihmonin në menaxhimin e pandemisë dhe kërkojnë trajtim sa më të shpejtë.
“U trajtuan edhe çështje të tjera, shumë prej tyre nga aspekti administrativ. Deri në këto momente s’ka ndryshim sa i përket mbajtjes së distancës fizike në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së dhe do ta kemi të pamundur të kthehemi në normalitet pa ndryshuar këto masa.U bëjmë thirrje deputetëve të respektojnë masat, sa i përket distancës dhe masave të tjera dhe kjo është e nevojshme që Kuvendi të jap shembull që në këtë periudhë që për hir të shëndetit publik të gjithë t’i respektojmë ato ashtu siç rekomandohet nga ana e profesionistëve që në këtë rast është IKSHPK.Sa i përket mediave ne sërish do të vendosim për të gjithë sinjalin, në mënyrë që seanca të transmetohet drejtpërdrejtë”, shtoi ajo./Indeksonline/