75 Mall Live Search
10:05 / E Enjte, 05 Mars 2026 / P M

Osmani shkon e buzëqeshur në presidencë

Presidentja Vjosa Osmani ka mbërritur në presidencë, në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ajo ngjiti shkallët në presidencë me buzëqeshje dhe përshëndeti me dorë gazetarët.

Lëvizja Vetëvendosje dje e hodhi poshtë zyrtarisht mundësinë që ta mbështesë Osmanin për presidente edhe për një mandat, të cilin ajo po e kërkon.

Në vend të kësaj, partia e Albin Kurtit vendosi që ta kandidojë Glauk Konjufcën për president.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit skadon sot, më 5 mars, në mesnatë.

Për t’u thirrur seanca e kuvendit për zgjedhjen e presidentit, nevojitet edhe një kandidat tjetër.

LVV-ja ka kërkuar që kandidati tjetër të vijë nga opozita, por partitë opozitare kanë thënë se refuzojnë të hyjnë në garë me një rezultat të paracaktuar. Kjo do të bënte që kandidati i LVV-së të zgjidhej president në rundin e tretë të votimit, meqenëse partia e Kurtit e ka në kuvend shumicën prej 61 votave që nevojitet në atë rast.

Shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci tha mbrëmë se i kishin ofruar Osmanit nënshkrimet për të kandiduar, por se ajo kishte refuzuar.

Nga presidenca thanë se Osmanit iu ofrua vetëm mundësia që “të hyjë në garë veç sa për formalitet”, por jo përkrahja, e cila në këtë rast është zhvendosur te Konjufca.