75 Mall Live Search
19:40 / E Shtunë, 03 Shtator 2022 / A. M.

Osmani: Sindikatat ta bëjnë një hap drejt zgjidhjes, qeveria e bëri me Pakon Ekonomike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit të mbajtur sot me sindikata dhe të gjithë akterët e përfshira në grevë, tha se u takon sindikatave që ta bëjnë hapin e radhës drejt gjetjes së një zgjidhjeje për të dalë nga grevat.

Kjo, pasi sipas Osmani, Qeveria e Kosovës, e ka bërë hapin e saj me prezantimin e Pakos Ekonomike, për të cilën tha se ishte një hap i rëndësishëm drejt një zgjidhjeje.

Prandaj tani është koha që sindikatat ta tregojnë një vullnet të mirë, t’i hapin shkollat të hënën në mënyrë që të krijohet një atmosferë e re në këtë dialog ku të gjitha palët ulën dhe i adresojnë kërkesat e reja që i kanë. Pra, i lus që të ulën me anëtarësinë e tyre dhe mos të japin vetëm një jo absolute”, është shprehur presidentja Osmani në konferencën e mbajtur për media,

Tutje, ajo tha se zgjidhje afatgjate për mësimdhënësit mund të gjendet vetëm pasi të miratohet Projektligji për Paga.

Ky Projektligj adreson dinjitetshëm çështjen e pagave të mësimdhënësve, madje siç jam informuar sot nga ministrja e Arsimit ka adresuar kërkesat edhe përtej kërkesave të SBAShK-ut, sa i përket pagave të mësimdhënësve. Me ligjin e ri për pagat, jo vetëm që ata do të trajtohen dinjitetshëm, por të gjitha këtyre kategorive do t’u zgjidhet një problem i madh”, ka deklaruar Osmani.

Më tej, e para e shtetit tha se zgjidhja mund të arrihet vetëm me dialog e assesi me kushtëzime, teksa ftoi të gjithë mësimdhënësit që t’i hapin dyert e shkollave për të mirën e fëmijëve e për të mirën e shtetit.