75 Mall Live Search
13:33 / E Mërkurë, 15 Janar 2020 / indeksADMonline

Osmani: Sot, vendoset se kur mblidhet këshilli për të shqyrtuar ofertën e VV-së

Sot në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë parë tek hynin anëtarë të kryesisë, madje edhe vetë lideri, Isa Mustafa.

Ky takim erdhi menjëherë pas ofertës që Lëvizja Vetëvendosje e bëri në adresë të saj.

Për media, ka folur nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se në ditët në vazhdim do të mblidhet Këshilli i përgjithshëm për të vendosur rreth ofertën e VV-së, duke u shprehet optimiste se marrëveshja e koalicionit do të bëhet.

“Është në vullnetin dhe ndërgjegjen e secilit. Besoj që në ditët në vazhdim do të mblidhen edhe organet e partisë, të cilat e kanë për detyrë që të merren me tema të tilla. Sot do të diskutojmë lidhur me kohën se kur do të thirret Këshilli… dhe besoj që shumë shpejt, sepse nuk ka kohë më.

Unë kam deklaruar dje që për propozimet e tilla vendos Këshilli i përgjithshëm i LDK-së dhe do të diskutojmë lidhur me rimandatimin e ekipit tonë për të vazhduar negociata dhe përparimet qe do të vazhdojnë në ato negociata dhe ata anëtarët e Këshillit… do të diskutojnë, mirëpo unë nuk do të paragjykoj sepse secili prej tyre ka mandat”.

Për deklaratën e Veliut dhe atmosferën në LDK, Osmani tha se ka përkrahje të fuqishme në LDK që vullnetin qytetar ta çojnë përpara.

Nga ana tjetër mbrëmë përmes një statusi të bërë në Facebook, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, angazhimet dhe veprimet e fundit të VV-së i quajti të dështuara, madje jo serioze për bashkëqeverisje./Indeksonline