Osmani takohet me Landau: Në fokus dialogu Kosovë-Serbi dhe forcimi i partneritetit dypalësh
Presidentja Vjosa Osmani u takua me zëvendëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau në Uashington.
Presidenca njofton se gjatë takimit Osmani shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për nënshkrimin nga presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Poashtu edhe për vizionin e presidentit Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.
“Presidentja Osmani foli poashtu edhe për zhvillimet e fundit, situatën e sigurisë në rajon, si dhe për rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët”, shkruhet në njoftimin e Presidencës.
Në këtë takim, presidentja ka ngritur çështjen e shkeljeve flagrante nga ana e Serbisë të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, duke kërkuar përkrahjen e Administratës Trump për këtë çështje.
Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidentja shprehi mirënjohje ndaj politikës së qartë të Administratës Trump që dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke dhe për faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime të kufijve apo ndarje. Kjo qasje, shtoi ajo, është e domosdoshme, në mënyrë që të ruhet paqja e stabiliteti në rajonin tonë.

