75 Mall Live Search
14:33 / E Enjte, 01 Qershor 2023 / MSH

Osmani takohet me Zelenskyn: Askush nuk e kupton dhimbjen e Ukrainës më mirë se populli i Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar në Moldavi, atje ku po mbahet Komuniteti Politik Evropian.

Presidentja është takuar me një numër figurash të larta të shteteve të ndryshme, përfshirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn.

Me këtë të fundit, Osmani pati një bisedë të shkurtër, ku i kujtoi se Kosova qëndron në solidaritet të plotë me Ukrainën.

“Në momentet kur ka rëndësi se ku qëndroni, unë i shpreha presidentit Volodymyr Zelensky solidaritetin tonë të plotë. Askush nuk e kupton dhimbjen, luftën dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës më mirë se populli i Kosovës. Asgjë nuk mund të pengojë vullnetin e një populli për të qenë i lirë” ka thënë Osmani pas takimit.

Në vazhdën e takimeve, Osmani do të takohet edhe më homologët e saj, Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz.

Në këtë Komunitet po merr pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, por që me këtë të fundit, Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk do të takohet.