Osmani takon Guerot, thekson rëndësinë e funksionalizimit të institucioneve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Gjatë takimit, u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën. Të dy palët ritheksuan rëndësinë e respektimit të parimeve demokratike dhe të shtetit të së drejtës në të gjitha proceset vendimmarrëse.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Guérot diskutuan gjithashtu për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës, duke theksuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit në fusha kyçe, veçanërisht në fushën e sigurisë.
Në prag të Samitit të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Kopenhagë, Presidentja Osmani dhe ambasadori Guérot shkëmbyen mendime mbi temat që pritet të trajtohen gjatë samitit, si dhe për koordinimin e qëndrimeve lidhur me çështjet me interes të përbashkët.
Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e saj për avancimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Francën dhe shtetet partnere, duke e konsideruar bashkëpunimin me Francën si të një rëndësie të veçantë për rrugën euroatlantike të Kosovës.